Krasniqi në Paris: Qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë me dije se dje ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të institucioneve të Francës.
Ai ka thënë se në këto takime ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Francë.
Po ashtu, ai ka thënë se për PDK-në qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme.
“Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë. Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euroatlantik dhe kursit properëndimor”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Dje, në Paris të Francës, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme zyrtare në Senat, në Parlament dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në Senat, pata nderin të pritem dhe të diskutojë me senatoren Laure Darcos, përgjegjëse për Kosovën në grupin e miqësisë Francë – Ballkan, ndërkaq, në Parlament takova deputetin Jean-Philippe Ardouin, udhëheqës i grupit të miqësisë Francë – Kosovë.
Senatoren Darcos dhe deputetin Ardouin i falënderova për miqësinë dhe mbështetjen tyre ndaj Kosovës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës i janë mirënjohës Francës për ndihmën dhe kontributin në të gjitha etapat e shtetndërtimit. Në këto takime, po ashtu, shpreha bindjen se bashkëpunimi ndër-parlamentar ndërmjet dy shteteve tona duhet të thellohet.
Ndërkaq, me Kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, ku u takova me z. Adrien Frier, diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së në raport me to.
Për PDK-në, qasja e Qeverisë së Kosovës në raport me aleatët tanë është e papranueshme, e gabuar dhe si e tillë po e vë në rrezik edhe sigurinë dhe të ardhmen e vendit tonë.
Prandaj, sot, Kosova ka nevojë për një qeveri të re, me qasje ndryshe, dhe e cila kthen në binarë rrugëtimin e shtetit tonë drejt integrimit euroatlantik dhe kursit properëndimor.