Krasniqi në Rahovec: Qeveria i ka lënë të vetmuar fermerët në përballimin me krizën ekonomike

20 korrik 2022 | 20:08

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot fermerët në Komunën e Rahovecit për të parë nga afër ballafaqimin e tyre me sfidat nga kriza e rëndë e çmimeve dhe mos mbështetja e nevojshme nga a e Qeverisë së Kosovës.

Kreu i PDK-së gjatë vizitës që u ka bërë vreshtave të fermerit Selami Shehut, tha se përtej sfidave dhe mungesës së mbështetjes nga Qeveria në këtë periudhë të krizës ekonomike, vreshtarët e Rahovecit ia kanë dalë që edhe këtë vit të kultivojnë rrush të një cilësie të jashtëzakonshme.

“Gjatë vizitës në vreshtën e Selami Shehut, bashkë me kryetarin e shoqatës së vreshtarëve në Rahovec, Hamid Makshana, pashë një përkushtim të jashtëzakonshëm. Kjo punë dëshmon më së miri për vullnetin dhe shkathtësitë e fermerëve kosovarë, të cilët në mënyrë individuale arrijnë të bëjnë gjëra të mrekullueshme, përkundër sfidave të ndryshme me të cilat përballen”, tha Krasniqi, nëpërmjet një shkrimi në faqen e tij në “Facebook”.

Më pas, kreu i PDK-së ka vizituar fermerët në fshatin Fortesë të Rahovecit.

“Arat e punuara nga ta dhe familjet e tyre janë shembull i punës e përkushtimit të jashtëzakonshëm. Megjithatë, këtë vit, si pasojë e krizës ekonomike dhe në mungesë të mbështetjes, fermerët nuk e kanë të sigurt tregun dhe çmimin e produkteve të tyre. Në këtë situatë janë me mijëra fermerë të ndershëm në tërë Kosovën. Fermerët nuk duhet të lihen të vetmuar në përballimin e krizës ekonomike. Përkundrazi, mbështetja ndaj prodhuesve vendorë duhet të jetë prioritet dhe përkushtim ditor i Qeverisë”, tha Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania regjionale për menaxhimin e mbeturinave KRM “Uniteti”, ka njoftuar…