Krasniqi në Reçak: Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak të Shtimes me rastin e 25-vjetorit të masakrës së Reçakut.
Duke fajësuar Serbinë për gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë, Krasniqi ka thënë se kurrë nuk do të heshtin për krimet që ka kryer shteti serb ndaj civilëve shqiptarë.
“Sot, bashkë me kolegë dhe bashkëpunëtorë nga PDK, bëmë homazhe tek Kompleksi Përkujtimor në Reçak, për të kujtuar 45 viktimat e kësaj masakre, e cila, edhe 25 vjet më pas, mbetet dhembja jonë e madhe. Një krim mizor dhe me paramendim kundër njerëzimit – i cili vulosi qëllimin politik të Serbisë dhe agjendën e saj për të kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Gjithmonë, e posaçërisht sot, vlerësojmë lartë kontributin e ambasadorit William Walker, i cili, çerek shekulli më parë, nga vendi i ngjarjes në Reçak, krimin e quajti me emrin e të tij të vërtetë. Kosova nuk do të hesht asnjëherë për krimet ndaj popullatës civile shqiptare, gjatë luftës së viteve 1998/99, derisa drejtësia të vihet në vend për secilën viktimë të vendit tonë. Lavdi martirëve të Reçakut!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.