Krasniqi në Viti: Qeveria Kurti po i neglizhon komunat e Kosovës

21 qershor 2022 | 16:54

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetarja Vlora Çitaku dhe sekretari Bajrush Xhamajli, ka vizituar të martën Komunën e Vitisë, e cila udhëhiqet nga kryetari Sokol Haliti, në bashkëqeverisje me PDK-në.

Në  takimin e mbajtur është diskutuar për zhvillimet në këtë komunë dhe për progresin që po e jep koalicioni qeverisës.

Me këtë rast, Krasniqi është shprehur i kënaqur me pritjen që i bërë nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të kësaj komune, Bekim Azizi.

“Ajo që e vlerësoj shumë është fakti që këtu shoh një vullnet vërtetë të madh për të zbatuar në praktikë gjitha ato zotime që i kanë bërë bashkërisht para qytetarëve dhe jam i sigurt që besimi i qytetarëve të Vitisë, që i kanë mveshur me përgjegjësi edhe njëherë kryetarin e Komunës, por edhe partnerët e koalicionit nga Partia Demokratike e Kosovës, vërtetë do të zbatohet ashtu siç është deklaruar jo vetëm gjatë fushatës, por edhe në angazhimet e tyre ditore”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje,  Krasniqi ka akuzuar qeverinë Kurti për shpërfilljen që po u bën realizimit të projekteve me rëndësi të veçantë në Komunën e Vitisë, si dhe ka shprehur gatishmërinë dhe vullnetin që brenda mundësive që ka PDK-ja si lidere e opozitës të ndihmojë në përshpejtimin e përfundimit të këtyre projekteve përmes Kuvendit të Kosovës.

“Nuk mund të mos e shpreh shqetësimin për neglizhimin nga ana e qeverisë qendrore për komunat e Kosovës në përgjithësi, por edhe për Komunën e Vitisë në veçanti, sidomos për disa projekte për të cilat para së gjithash në fokus e kanë mirëqenien e qytetarëve, lehtësimin e jetës së tyre. Ato janë të shumta, dhe një prej tyre është edhe ndërlidhja e lokalitetit të Gërlicës me autostradën, e cila do të ishte shumë e rëndësishme për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve, të mallrave, që do të ndikonte edhe në zhvillimin ekonomik, por edhe projekte të tjera që vërtetë do të ishin të rëndësishme, që kanë qenë të planifikuara, e që tash janë të penguara”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, duke falënderuar kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi për vizitën, ka bërë me dije se e ka njoftuar atë lidhur me strategjinë ekonomike lokale, progresin dhe sfidat që po hasin si komunë.

“Kishim kënaqësinë që sot të kemi mysafir kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit edhe deputet në Parlamentin e Kosovës, Memli Krasniqi, të cilin e njoftova për ecuritë në komunën tonë, për rrjedhat, punët, progresin, implementimin e projekteve dyvjeçare dhe atyre njëvjeçare, problematikat që po na krijohen e që i kemi në vazhdimësi, dhe tejkalimin e kësaj situate, por edhe për sfidat që ka Komuna e Vitisë”, ka thënë Haliti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka…