Krasniqi nga KDI: Të hiqet raporti i Bulliqit, të ratifikohet Demarkacioni
Të gjitha zhvillimet e fundit lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi kanë prekur dhe nuk kanë kaluar pa debat edhe mes shoqërisë civile.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se stërzgjatja e këtij procesi flet për jo seriozitet nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës.
“Tash po bëhen 3 vite prej kur çështja e Demarkacionit dominon debatin publik dhe atë politik. Për 3 vite, si shtet dhe institucionet nuk kanë dhënë përgjigje përfundimtare se cila është vija kufitare me Malin e Zi. Kjo mungesë e arritjes së konsensusit dhe për t’i dhënë përgjigje temave që ngriten në Kuvend po e shpërfaq mungesën e seriozitetit të Kosovës si shtet dhe mënyrën primitive të të bërit politikë. Kjo shënon një hap prapa në gjithë konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Krasniqi në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet sa më parë në Kuvendin e Kosovës.
“Kemi bërë thirrje që të ketë konsensus dhe në rradhë të dytë, që deri tani nuk është provuar në mënyrë bindëse se Kosova po humb territor prandaj duhet të ratifikohet kjo marrëveshje.Pra nuk duhet të humbim më shumë kohë. Nuk ka fakte të reja për humbjen e territorit, duhet të ratifikohet ky version”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe atë që duket se është një problem i ri në arritjen e konsensusit mes partive politike shqiptare, përjashtuar Vetëvendosjen për të dhënë votën “pro” për marrëveshjen e Demarkacionit – raportin e Komisionit në krye me Shpejtim Bulliqin.
“Ky është një qëndrim i gabuar i kryeministrit dhe duhet të heqë dorë nga ky qëndrim. Nuk ka kuptim dhe asnjë praktikë juridike dhe parlamentare nuk njeh që brenda një dokumenti të ketë dy qëndrime që përjashtojnë njëra-tjetrën. Nuk mundet që brenda një dokumenti të jenë dy anekse që përjashtojnë njëra-tjetrën, kjo është mundësi shtesë për të pasur konflikte qoftë të brendshme apo me Malin e Zi”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, raporti i komisionit të Shpejtim Bulliqit duhet të largohet nga marrëveshje pasi është raport i njëanshëm dhe nuk prodhon asnjë efekt juridik për palën tjetër.
“Ta bëjmë këtë në mënyrë sa më të thjeshtë dhe praktike të mundshme. Ta heqim marrëveshjen që është kontradiktore, raporti i Bulliqit është raport i njëanshëm, ai i Komisionit Shtetëror të Murat Mehës është punuar bashkërisht. Raporti i Bulliqit është krijuar ashtu si ata kanë dëshiruar dhe nuk prodhon ndonjë efekt juridik e as për palën tjetër se nuk janë pajtuar për këtë marrëveshje Nuk mund të ratifikojmë ne diçka tjetër e Mali i Zi diçka tjetër”, ka shtuar Krasniqi.