Krasniqi: Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm
“Nuk mund të ketë shtet të zhvilluar pa sektor privat të fuqishëm. Ky ishte konkluzioni i përbashkët që doli nga diskutimet që pata sot në Gjilan me ndërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve, ku u njoftova me sfidat e tyre të përditshme, sidomos tani në këtë periudhë të krizës ekonomike”, ka shkruar lideri i PDK-së në “Facebook”, Memli Krasniqi.
Sipas tij, ata ndanë shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, sepse shumë profesionistë po e lënë Kosovën në mungesë të perspektivës në vend.
“Ky fakt, përveç i dhimbshëm, është edhe shqetësues. Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur. Keqqeverisja dhe trajtimi armiqësor ndaj bizneseve, po i dekurajon ndërmarrësit. Kjo politikë i ka larguar edhe ata pak investitorë të huaj që kishin filluar ta shohin Kosovën si vend potencial për investime”.
“Shteti duhet të ketë rolin e vet vetëm si partner dhe krijues i kushteve më të mira për bizneset të cilat duke u rritur e forcuar, krijojnë vende pune të qëndrueshme me paga dinjitoze”, ka theksuar Krasniqi.