Krasniqi: Nuk u shfrytëzuan mundësitë sa duhet për ta konsoliduar shtetin
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se rrugëtimi i Kosovës deri tek pavarësia e saj ka qenë i gjatë dhe i vështirë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se e arritura më e madhe e dekadës së fundit ka qenë dhe mbetet shpallja e pavarësisë së Kosovës.
“Për të ardhur deri te çlirimi i shtetit të Kosovës kanë punuar, luftuar dhe sakrifikuar gjenerata dhe breza të tërë atdhetarësh. Janë shumë pak për një shtet dhjetë vjet pavarësi, por për ne dhe brezat që do të vijnë shtetësia e Kosovës, çdo minutë, çdo sekondë dhe çdo çast i saj do të jenë lumturi dhe perspektivë! Ne dolëm nga lufta, me shumë të vrarë e të plagosur, të shkatërruar fizikisht e shpirtërisht, shtëpi të djegura, ekonomi të shkatërruar, infrastrukturë të dobët, por me një vullnet të fortë për ta ndërtuar shtetin e ëndërruar me shekuj. Suksesi më i madh i mundshëm është vetë pavarësia e Kosovës. Janë institucionet e shtetit, njohjet ndërkombëtare etj. Ka të arritura të cilat nuk mund të mohohen, por janë shumë të vogla, duke pasur parasysh pasuritë tokësore dhe nëntokësore, resurset njerëzore dhe gatishmërinë e disave për të punuar vërtet për ndërtimin e këtij shteti”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, ka pasur shumë mundësi të cilat nuk janë shfrytëzuar në mënyrë që Kosova të bëhej një shtet me të cilin do të krenoheshin të gjithë, edhe ata që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë e atdheut.
Ai ka thënë se lëkundjet e partneritet me vendet mike nuk është dashur të ndodhin fare. Sipas Krasniqit, ashtu siç është koordinuar rruga deri te pavarësia, duhet të vazhdojë. Ai ka thënë se vendin e pret një punë e madhe dhe e përgjegjshme.
“Mundësitë për të qenë një shtet i ndërtuar dhe konsoliduar, për të qenë një shtet me të cilin do të krenoheshin të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit, të gjithë të vrarët dhe të persekutuarit, të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë ishin të mëdha, por nuk u shfrytëzuan të gjitha ato, e në shumë raste edhe u keqpërdoren më së shumti nga të zgjedhurit e popullit, nga të cilët pritej edhe angazhim shumë i madh. Lëkundjet e fundit nuk kishte asnjë nevojë të ndodhnin, por edhe kjo çështje u mbyll dhe mirë u bë. Ashtu siç e kemi koordinuar rrugën deri te pavarësia, duhet ta vazhdojmë. Sigurisht na pret një punë e madhe dhe e përgjegjshme”, është shprehur Krasniqi.
Në këtë intervistë, Krasniqi ai ka folur edhe për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën ka thënë se më në fund do të zgjidhet në formën e duhur.
“Siç duket, më në fund edhe kjo çështje mjaft e rëndësishme për ne dhe për shtetin e Kosovës do të mbyllet ashtu siç edhe duhej, ngaqë edhe ashtu nuk kemi territor për të humbur. Mjaft kemi humbur territor me shekuj nga luftërat e kaluar. Do të na gjykonte historia dhe brezat e ardhshëm nëse do të kishim bërë lëshime në këtë drejtim”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka thënë se Kosova ka të ardhme evropiane dhe duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë. “Fajtorë për çdo ngecje, moszhvillim të vendit, për mospërmbushjen e standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar, pa dyshim se janë udhëheqësit e vendit, edhe pse pasojat për këto i bartë populli i pafajshëm. Patjetër që vendi ynë duhet të ketë dhe ka një të ardhme evropiane. Dialogu duhet të vazhdojë, por jo pa u krijuar një konsensus nacional për këtë çështje”, ka deklaruar Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si i vlerësoni këta dhjetë vjet të shtetësisë së Kosovës? Si ishte ky rrugëtim?
Krasniqi: Për të ardhur deri te çlirimi i shtetit të Kosovës kanë punuar, luftuar dhe sakrifikuar gjenerata dhe breza të tërë atdhetarësh. Janë shumë pak për një shtet dhjetë vjet pavarësi, por për ne dhe brezat që do të vijnë, shtetësia e Kosovës, çdo minutë, çdo sekondë dhe çdo çast i saj, do të jenë lumturi dhe perspektivë.
“Epoka e re”: Cilat kanë qenë të arriturat dhe dështimet e Kosovës së pavarur?
Krasniqi: Ne dolëm nga lufta, me shumë të vrarë e të plagosur, të shkatërruar fizikisht e shpirtërisht, shtëpi të djegura, ekonomi të shkatërruara, infrastrukturë të dobët, por me një vullnet të fortë për ta ndërtuar shtetin e ëndërruar me shekuj. Suksesi më i madh i mundshëm është vetë pavarësia e Kosovës. Janë institucionet e shtetit, njohjet ndërkombëtare etj. Ka të arritura të cilat nuk mund të mohohen, por janë shumë të vogla, duke pasur parasysh pasuritë tokësore dhe nëntokësore, resurset njerëzor dhe gatishmërinë e disave për të punuar vërtet për ndërtimin e këtij shteti.
“Epoka e re”: Ndonëse vendi ynë po e bën një dekadë shtet, ende nuk është ai për të cilën është luftuar me shekuj. Madje kohët e fundit pati edhe një lëkundje të partneritetit me vendet të cilat kanë ndihmuar Kosovën në kohët më të vështira. Çfarë duhet bërë për rrugëtimin që kemi përpara?
Krasniqi: E ceka edhe më lart, mundësitë për të qenë një shtet i ndërtuar dhe konsoliduar, për të qenë një shtet me të cilin do të krenoheshin të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit, të gjithë të vrarët dhe të persekutuarit, të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë, ishin të mëdha, por nuk u shfrytëzuan të gjitha ato, e në shumë raste edhe u keqpërdoren më së shumti nga të zgjedhurit e popullit, nga të cilët pritej edhe angazhim shumë i madh. Lëkundjet e fundit nuk kishte asnjë nevojë të ndodhnin, por edhe kjo çështje u mbyll dhe mirë u bë. Ashtu siç e kemi koordinuar rrugën deri te pavarësia, duhet ta vazhdojmë. Sigurisht na pret një punë e madhe dhe e përgjegjshme.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, edhe më tutje Kosova nuk ka arritur ta përfundojë çështjen demarkacionit me Malin e Zi. Por, këto ditë është raportuar se është gjetur një mundësi për ta mbyllur me sukses këtë punë. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje, dhe a prisni zgjidhje të shpejtë të saj?
Krasniqi: Siç duket, më në fund edhe kjo çështje mjaft e rëndësishme për ne dhe për shtetin e Kosovës do të mbyllet ashtu siç edhe duhej, ngaqë edhe ashtu nuk kemi territor për të humbur. Mjaft kemi humbur territore me shekuj nga luftërat e kaluara. Do të na gjykonte historia dhe brezat e ardhshëm nëse do të kishim bërë lëshime në këtë drejtim.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej pritjeve, Kosova ende nuk ka fituar liberalizimin e vizave si dhe nuk ka një perspektivë të qartë evropiane, për dallim prej vendeve të tjera të rajonit, të cilave u janë përcaktuar afatet kohore për anëtarësim në Bashkimin Evropian. E vetmja gjë që i është përcaktuar vendit tonë është vazhdimi i dialogut me Serbinë. Si e shihni të ardhmen evropiane të Kosovës dhe përfundimin e dialogut me Serbinë?
Krasniqi: Fajtorë për çdo ngecje, moszhvillim të vendit, për mospërmbushjen e standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar pa dyshim se janë udhëheqësit e vendit, edhe pse pasojat për këto i bartë populli i pafajshëm. Patjetër se vendi ynë duhet të ketë dhe ka një të ardhme evropiane. Dialogu duhet të vazhdojë, por jo pa u krijuar një konsensus nacional për këtë çështje.
Shqipe HETEMI