Krasniqi: Numri i shtretërve dhe mjekëve, sfidë për Kosovën

30 korrik 2020 | 08:16

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, thotë se situata me koronavirus në Kosovë është tejet e rënduar.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Krasniqi tregon se si është riorganizuar stafi gjatë kësaj periudhe dhe cilat janë kapaictetet spitalore për t’u përballur me pandeminë.

Sa u përket raportimeve për mungesa të pajisjeve mbrojtëse nëpër spitale, Krasniqi thotë se autoritetet kanë qenë të përgatitura vetëm për periudhë tremujore dhe jo për përhapje të tillë të virusit.

“Gjendja aktuale është jashtëzakonisht e rënduar. Tash e një muaj kemi rritje të numrit të rasteve të të infektuarve në nivel vendi dhe kjo po përcillet edhe me rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë hospitalizim. Ne kemi pothuajse rreth 600 pacientë të shtrirë në klinikat tona në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe spitale rajonale. Ky numër është i madh kur dihen kapacitetet e sistemit tonë shëndetësor. Bazuar në vendimet e qeverisë, të datës 5 korrik, për riorganizimin e personelit shëndetësor, shtimin e kapaciteteve të reja dhe shtimin e numrit të shtretërve dedikuar pacientëve, i kemi bërë të gjitha veprimet në këtë drejtim dhe kemi në dispozicion 750 shtretër për të prekurit nga Covid-19″, ka thënë ai.

“Kemi qenë të detyruar ta riorganizojmë një pjesë të madhe të stafit shëndetësor, i cili është duke u marrë me trajtimin e këtyre rasteve. Tashmë i kemi katër klinika brenda QKUK-së, Klinikën Infektive, Pulmologjinë, Neurologjinë dhe Mjekimin Intensiv Qendror, ndërkohë që po planifikojmë të hapim edhe ndonjë repart ose klinikë tjetër, për shkak të rritjes së madhe të numrit të rasteve që po vijnë në QKUK, dhe jemi në riorganizim të ambulancave të pranimit. Kohëve të fundit është bërë regjionalizimi i pacientëve, që nënkupton se pacientët që vijnë nga regjionet, do të trajtohen në ato spitale rajonale. Kjo e ka lehtësuar sadopak fluksin e pacientëve që vijnë në QKUK. Megjithëkëtë, numri [i pacientëve] është jashtëzakonisht i madh, si në spitalet rajonale, po ashtu edhe në klinikat e QKUK-së dhe ky presion i rritjes së numrit të rasteve po vazhdon”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka treguar se kanë vështirësi shumë serioze sa i përket riorganizimit të personelit shëndetësor dhe po detyrohen të marrim personel shëndetësor nga ato shërbime që janë reduktuar, si pasojë e situatës epidemiologjike me Covid-19.

“Mirëpo, nëse ky numër i madh i të infektuarve vazhdon në këtë mënyrë, do të jemi përballë sfidave shumë, shumë serioze, sa i përket qoftë shtretërve, por edhe personelit mjekësor, që do të jetë në dispozicion për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të mblidhen në…