Krasniqi: Pa autorizimin e Kurtit, s’do mund të ndodhte koordinimi me Radojiçiqin
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, u është përgjigjur deklaratave të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, e cila i akuzoi partitë e opozitës për afërsi me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Krasniqi tha se është zonja Kusari ajo që është dakorduar me Radoiçiqin për ligjin për pagën minimale, e për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese.
“Unë mendoj se secila gjë e fshehtë në këtë vend nëse mundet me u zbulu duhet me u zbulu. Është e njëjta zonja Kusari Lila e cila edhe herën e kaluar ka thënë nuk është e vërtetë, por doli e vërtetë, e njëjta ka shpifë pa u turpëru se PDK-ja ia ka sjellë Listën Serbe aty, kur tash po del se kjo është marrë vesh me Radoiçiqin që Simiqi me u dakordu për ligjin për pagë minimale që i ka përjashtuar veteranët e luftës prej atij ligji, por më e keqja edhe për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese”, tha Krasniqi në Rubikon të Klan Kosovës.
Tutje Krasniqi tha se tashmë është konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale se Radoiçiq ka ndërtuar vilë pranë liqenit të Ujmanit gjatë qeverisjes së Kurtit.