Krasniqi pas dështimit të Qeverisë së Kosovës në KiE: Zgjedhjet na nxjerrin nga izolimi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës pas dështimit në Këshillin e Evropës (KiE). Ai ka vlerësuar se Kosova ka humbur mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë.
Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se kjo qeveria ka dështuar ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Në këtë kontekst, Krasniqi ka vlerësuar se zgjidhje janë vetëm zgjedhjet e reja.
“Sot është një ditë e hidhur për Kosovën dhe për qytetarët tanë. Sot do të duhej ta festonim pranimin në Këshillin e Evropës. Në vend se të konkretizonim një sukses që do ta forconte demokracinë, sundimin e ligjit dhe shtetësinë tonë e për çfarë është punuar gjatë, sot jemi dëshmitarë të humbjes së mbështetjes nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se sot ky pushtet zyrtarisht ka humbur legjitimitetin.
“Prandaj, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një qeverie të re, kredibile, kompetente dhe të përgjegjshme, që e heq Kosovën nga izolimi dhe e orienton nga integrimi i sigurt euroatlantik, është e domosdoshme. Sot edhe zyrtarisht ky pushtet e ka humbur legjitimitetin. Shteti ka nevojë për qytetarët dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre!”, ka shkruar Krasniqi.