Krasniqi për deklaratën e Konjufcës: LV-ja e pranoi që Kosova është në pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë

23 janar 2025 | 11:18

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje e ka pranuar faktin që Kosova tashmë është në pozitë të disfavorshme ndaj Serbisë.

Sipas tij, kjo pozitë nuk është rezultat i veprimeve të ndonjë presidenti amerikan, por i gabimeve tona.

Krasniqi ka listuar disa kërkesa të amerikanëve që Kosova i refuzoi.

“Kur zëvendëspresidenti Biden ateroi në Sllatinë për të kërkuar votimin e demarkacionit, për të siguruar që Mali i Zi të anëtarësohej në NATO për arsye strategjike, ne i thamë JO – se delet na kishin kullotur në Çakorr. Kur sekretari Blinken na kërkoi të shtynim vendimin për targat në veri, pasi po përpiqej të shmangte një luftë bërthamore, ne i thamë JO – se ju jeni naiv. Kur NATO na kërkoi të mos i vendosnim kryetarët e komunave në ndërtesat komunale për të mos rrezikuar ushtarët e saj, ne i thamë JO – pasi jemi shtet sovran. Kur presidenti Trump na ftoi në Zyrën Ovale për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë dhe kërkonte njohje të ndërsjellë, ne i thamë JO – pasi jeni president i zgjedhur nga Rusia dhe do të vendosni thika mbi harta”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Siç ka pohuar Krasniqi, kjo politikë na ka përplasur për muri, dhe se dëmi veçse është bërë.

“Tani kur më në fund e kuptojmë se kjo politikë e ndjekur krye më vete dhe pa koordinim me aleatët tanë na ka përplasur për muri, është tepër vonë, dëmi veçse është bërë!”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Inter mposhti me rezultat 0-1 Sparta Pragën. Me 16 pikë…