Krasniqi për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt: Drejtësia herëdokur do ta gjejë rrugën e vërtetë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka reaguar pas dënimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt me 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale.
“Liria e popullit tonë nuk është falur, por është fituar me gjak e sakrificë dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, përballë një agresori pushtues e të pamëshirshëm, i cili ka provuar ta zhbëj identitetin dhe ekzistencën tonë. Kjo është e vërteta mbi të cilën na ka mbështetur qytetërimi perëndimor dhe bota demokratike dhe pjesë e kësaj të vërtete janë edhe Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Kjo e vërtetë nuk mund të ndryshohet e as nuk bën të harrohet”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në rrethanat e krijuara sot, pas dënimit të tyre nga Gjykata Speciale, bashkëndjejmë me familjet Gucati e Haradinaj.
“Drejtësisë i kemi besuar dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi.