Krasniqi për qeverinë Kurti: Dështuese

29 dhjetor 2022 | 15:04

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në konferencën përmbyllëse për medie, ka thënë se viti 2022 për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi.

Krasniqi ka thënë se viti që po e lëmë pas mund të përshkruhet me tre karakteristika: “Vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord; Vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve; Një vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë”.

Ai ka thënë se kjo gjendje është rezultat i keqeverisjes së kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeverisës, të cilët veçse i kanë thelluar krizat duke e tërhequr krejt Kosovën në një gjendje depresioni kolektiv e degradimi shtetëror.

“Zhvillimet e fundit, e dëshmojnë më mirë se çdo gjë tjetër, që Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta që prej se është shpallur shtet sovran, e pa asnjë dyshim, një moment të brishtë dhe të paprecedentë pothuajse që 23 vite pas çlirimit. Nuk është as e lehtë dhe as dëshirë e jona, që vitin 2022 të mos mund ta mbajmë mend për gjëra të mira, por, fatkeqësisht, kjo është ‘Kronikë e një dështimi të paralajmëruar’ nga unë dhe PDK-ja qysh me 22 mars të vitit 2021, kur ishte emëruar Qeveria Kurti II. Kabineti i dobët dhe planprogrami i varfër i kësaj qeverie, por edhe përvoja me Qeverinë Kurti I, na kishin treguar qysh në fillim se çka na pret. Gjatë këtij viti, Kjo Qeveri ka prodhuar gjithçka, përveç program zhvillimor e mbështetës për shtetin dhe qytetarët”, ka theksuar ai.

Krasniqi rikujtoi se ky vit pati nisur në një atmosferë të paralajmëruar të krizës energjetike nga opozita, zgjidhjen e së cilës qeveria e ka gjetur duke e shtrenjtuar energjinë elektrike në kurriz të qytetarëve.

“Nga aranzhmanet e asaj periudhe, mbahen mend vetëm dy fakte kryeneqe.E para: Mbahet mend emri i Ambasadorit Martin Berishaj dhe skandalit ndërkombëtar që lidhet me emrin e tij dhe mafisë energjetike, të cilin, pushteti i Albin Kurtit jo që nuk e përballi me përgjegjësi, por e mbrojti me këmbëngulësi. Dhe e dyta: Subvencionimi i energjisë për serbët në pjesën veriore të Kosovës në vlerë prej 100 milionë eurove”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së theksoi se ekonomia që u trumbetua se do të jetë e lirë dhe e drejtë, gjatë vitit 2022 ka stagnuar dhe nuk është zhvilluar as si e drejtë, as si e lirë.

“Sot, kur kostoja e jetesës në Kosovë është më e larta ndonjëherë, si pasojë e ngritjes së të gjitha çmimeve të produkteve esenciale, më së paku që kanë pasur nevojë qytetarët ka qenë keqqeverisja dhe vendimet e panumërta në dëm të mirëqenies së tyre nga kjo Qeveri. Madje, për më keq, në raportet ndërkombëtare për lirinë ekonomike, Kosova është degraduar për 28 vende më keq se në vitin 2021. Asnjë investim kapital për një vit të tërë, në kohën kur investimet kapitale janë instrument për të zhbllokuar ekonominë nga kriza në të cilën jemi përfshirë, përderisa paratë e taksapaguesve, rreth 700 milion euro që vegjetojë në Bankën Qendrore, janë zhvleftësuar nga inflacioni në vend se të përdoreshin për të lehtësuar ndikimin e krizës ekonomike”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka potencuar se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konsistent për t’ua lehtësuar familjeve kosovare përballjen me inflacionin, madje ka refuzuar edhe iniciativat e idetë se si mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Tërheqja e mjeteve të TRUST-it nuk ishte kërkesë e PDK-së, mbi të gjitha ishte kërkesë e qytetarëve, të cilët duke u ndjerë të braktisur nga qeveria, kërkonin së paku qasje në një pjesë të mjeteve të veta. Edhe kjo iu është mohuar atyre. Për një vit, as edhe një investitor i huaj, as edhe një investim domethënës, ndërsa shkalla e papunësisë vazhdon të jetë enorme, përderisa numri i atyre që janë duke prekur vijën e varfërisë është rritur në përmasa të frikshme. Të gjitha këto i përmbledhë më së miri rritja ekonomike si pasojë e kësaj qeverisje shterpe është vetëm rreth 2.5 për qind”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket arsimit, Krasniqi tha se kryefjala për këtë sektor në vitin 2022 ishte greva.

Krasniqi tha se Kosova gjatë vitit 2022, ka mbetur pa politikë të jashtme reale.

Ai ka theksuar se një ndër fenomenet më tragjike të këtij viti ishte largimi masiv i të rinjve nga Kosova.

Krasniqi ka theksuar se lista e dështimeve të qeverisë Kurti gjatë vitit 2022, është e gjatë dhe lë në hije çdo sukses eventual e rrethanor që ka mundur të ndodhë, e të cilin PDK-ja e ka mirëpritur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Kaçanikut, njëzëri…