Krasniqi: Përgjegjësia për dialogun është e të gjithëve  

15 tetor 2018 | 15:11

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë të dielën se Kuvendi si institucioni më i lartë i shtetit do të duhej ta kryente funksionin për çdo gjë që është në interes të kombit e të shtetit.

Por, sipas tij, Kuvendi po shihet si institucion i Qeverisë apo i këtij e atij pushtetari të fuqishëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Krasniqi ka vlerësuar se në një situatë të tillë zgjedhjet do të duhej të ishin zgjidhja, por me këtë kulturë të komunikimit që kemi as zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

“Zgjedhjet do të ishin zgjidhje nëse ndonjëra nga partitë politike ose më shumë parti politike e formojnë një program për qeverisje, e cila vendit do t’ia ofronte një dokument me të cilin fillon një qeverisje përmbajtjesore. Këta liderë politikë me partitë që udhëheqin vështirë se ndonjëherë këtij vendi do t’ia japin zgjidhjen e duhur. Ndërsa për vendime të mëdha e në interes të vendit nuk po i shoh ata njerëz në asnjërën nga partitë e mëdha parlamentare”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se mënyra se si po komunikohet që sa kohë për proces nuk sjell rezultat.

Madje Krasniqi ka vlerësuar se gjasat janë të vogla që të arrihet konsensusi për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi duke e parë mënyrën e komunikimit në Kuvend dhe jashtë tij.

“Për dialogun dhe cilësinë e dialogut deri më tani, për nivelin e tij, për rezultatet e tij, përgjegjësia gati është e të gjithëve. Mënyra se si po komunikohet që sa kohë për dialogun nuk është mënyrë që sjell rezultat”, ka theksuar ai.

Kurse sa i përket formimit të ushtrisë, Krasniqi ka thënë se kjo çështje do t’i bashkojë të gjithë.

“Çështja e liberalizimit të vizave nuk varet nga ne, varet nga politikat e BE-së, prandaj askush në Kosovë nuk duhet t’i japë zjarr çështjes së liberalizimit të vizave. Çështja e ushtrisë do t’i bashkojë edhe partitë opozitare, por gjatë gjithë viteve të lirisë e të pavarësisë, bash këta aktorë që janë në skenën politike, jo vetëm që kanë bërë pak, por me këtë buxhet që ia kanë lënë shtetit, e mbajnë përgjegjësinë kryesore për të pasur një ushtri të mirëfilltë!”, është shprehur ai.

Krasniqi i është përgjigjur kërkesës së partive opozitare për zgjedhje duke thënë se ato nuk janë serioze.

Sipas tij, ata që po kërkojnë zgjedhje i kemi parë të qeverisin, madje disa në dy nivelet e pushtetit.

“Opozita duhet me qenë shumë më serioze me vetveten. Seriozitetin e opozitës nuk jam duke e parë. Nuk mjafton të thuhet, vetëm duam zgjedhje për të ardhur në pushtet dhe për të vazhduar avazi i vjetër. Edhe ata që po kërkojnë zgjedhje i kemi parë të qeverisin, madje disa në dy nivelet e pushtetit. Dhe i kanë ngjarë si veza-vezës. Opozita duhet të tregojë jo vetëm me fjalë se do ta qeverisë ndryshe vendin”, ka thënë ai.

 “Epoka e re”: Z. Krasniqi, për dy mandate keni qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kohët e fundit po shihet se ky institucion është pothuajse në bllokadë për shkak të numrave, pasi pozita jo gjithherë po arrin t’i bëjë 61 deputetë. Si e shpjegoni këtë situatë kur vendi është para vendimeve të mëdha?
Krasniqi: Në një situatë të tillë nuk është lehtë për asnjë njeri të japë një përgjigje të duhur apo të argumentuar. Njeriu racionalist mund të përgjigjet në një vend që ka dhe udhëhiqet nga një politikë racionale, një politikë në shërbim të publikut e të perspektivës shtetërore. Sikur Kuvendi i Kosovës, institucioni më i lartë i shtetit, institucioni përfaqësues, legjislativ dhe kontrollues, të kuptohej si institucioni i përbashkët i pozitës dhe opozitës, ai do të duhej ta kryente funksionin e vet për çdo gjë që është në interes të kombit e të shtetit. Jo te ne, Kuvendi po shihet si institucion i Qeverisë apo i këtij e atij pushtetari të fuqishëm. Prandaj është vështirë të jepet një përgjigje racionale. Në një situatë të tillë zgjedhjet do të duhej të ishin zgjidhja, por me këtë kulturë të komunikimit që kemi, as zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Zgjedhjet do të ishin zgjidhje nëse ndonjëra nga partitë politike ose më shumë parti politike e formojnë një program për qeverisje e cila vendit do t’ia ofronte një dokument me të cilin fillon një qeverisje përmbajtjesore. Këta liderë politikë me partitë që udhëheqin vështirë se ndonjëherë këtij vendi do t’ia japin zgjidhjen e duhur. Ndërsa për vendime të mëdha e në interes të vendit nuk po i shoh ata njerëz në asnjërën nga partitë e mëdha parlamentare.

“Epoka e re”: Ju në disa intervista publike keni dalë me një qëndrim të kundërt me partinë. keni Deklaruar se po të ishit në vendin e Ramush Haradinajt, do të jepnit dorëheqje nga posti i kryeministrit. A është ky qëndrim edhe i Nismës Socialdemokrate?
Krasniqi: Që të jem i saktë, nuk kam kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Arsyet i thashë në përgjigjen e parë. Unë kam folur vetëm për veten time, se këtë vend e këta qytetarë i dua shumë dhe kjo gjendje nuk është ajo që e meritojnë qytetarët tanë. Ky është qëndrimi im që nuk ia imponoj askujt, ashtu si askush nuk mund të m’i imponojë qëndrimet e veta. Që prej kur kam hyrë në politikën legale, kam pasur diçka që nuk ia kam dorëzuar asnjë partie politike. Lirinë time të mendimit, për të shprehur atë që mendoj se duhet shprehur, nuk ia kam deleguar askujt. Atë e ruaj për vete, përndryshe nuk do të isha vetja. Tekefundit, Nisma mund të përgjigjet në këtë konstelacion forcash politike vetëm për atë që është pjesa e saj.

“Epoka e re”: Opozita ka paralajmëruar mobilizimin për rrëzimin e Qeverisë. Në opinion po flitet se Nisma mund ta ndihmojë me vota në Kuvend opozitën për rrëzimin e Qeverisë. A mund të ndodhë një gjë e tillë?
Krasniqi: Diçka nga kjo pyetje u përgjigja më lart. Opozita duhet me qenë shumë më serioze me vetveten. Seriozitetin e opozitës nuk jam duke e parë. Nuk mjafton të thuhet, vetëm duam zgjedhje për të ardhur në pushtet dhe për të vazhduar avazi i vjetër. Edhe ata që po kërkojnë zgjedhje i kemi parë të qeverisin, madje disa në dy nivelet e pushtetit. Dhe i kanë ngjarë si veza-vezës. Opozita duhet të tregojë, jo vetëm me fjalë, se do ta qeverisë ndryshe vendin.

“Epoka e re”: Ndonëse ky koalicion u formua, kinse për t’i përfunduar çështjet e mëdha, do të mund të finalizohen në mandatin e tij çështja e liberalizimit, ushtria si dhe dialogu?
Krasniqi: Çështja e liberalizimit të vizave nuk varet nga ne, po nga politikat e BE-së, prandaj askush në Kosovë nuk duhet t’i japë zjarr çështjes së liberalizimit të vizave. Çështja e ushtrisë do t’i bashkojë edhe partitë opozitare, por gjatë gjithë viteve të lirisë e të pavarësisë, bash këta aktorë që janë në skenën politike, jo vetëm se kanë bërë pak, por me këtë buxhet që ia kanë lënë shtetit, e mbajnë përgjegjësinë kryesore për të pasur një ushtri të mirëfilltë. Për dialogun dhe cilësinë e dialogut deri më tani, për nivelin e tij, për rezultatet e tij, përgjegjësia gati është e të gjithëve. Mënyra se si po komunikohet që sa kohë për dialogun nuk është mënyrë që sjell rezultat.

“Epoka e re”: Jeni optimist se në këtë periudhë mund të arrihet konsensusi për procesin e dialogut Kosovë – Serbi?
Krasniqi: Gjithnjë duke e parë mënyrën e komunikimit në Kuvend dhe jashtë tij, gjasat janë të vogla.

“Epoka e re”: Z. Krasniqi, edhe Nisma, po edhe subjektet e tjera po mbajnë takime me struktura partiake në komuna të ndryshme. A është kjo një parapërgatitje se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja?
Krasniqi: Për të tjerët nuk e di, por Nisma është duke komunikuar me strukturat organizative, pasi neve si parti e vogël parlamentare na duhet zgjerimi dhe konsolidimi i radhëve. Ne publikut po dëshirojmë t’ia ofrojmë parimet e socialdemokracisë e të solidaritetit, pasi jemi të bindur se publikut duhet t’ia bëjmë më të qarta këto parime.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të shumtë ishin refugjatët të cilët gjatë luftës së fundit…