
Krasniqi përkujton Ilaz Kodrën: Ndër të parët që i dha jetë UÇK-së
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar heroin Ilaz Kodra në 26 vjetorin e rënies së tij, duke bërë homazhe në kullën e këtij të fundit në Prekaz.
Krasniqi, ka thënë se Kodra ishte ndër të parët që i dhanë jetë UÇK-së, dhe se ai qëndron në themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.
“Liria nuk është dhuratë – ajo është amanet i shenjtë që fitohet me gjak dhe ruhet me përkushtim. Një nga ata heronj që nuk hezitoi të niste luftën për liri, pa kursyer as jetën e tij, ishte Komandant Ilaz Kodra. Në 26-vjetorin e rënies së tij heroike, sot bëra homazhe në kullën e tij në Prekaz – aty ku historia e re e Kosovës mori drejtim. Ilaz Kodra ishte ndër të parët që, krah Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe bashkëluftëtarëve të tyre, i dhanë jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kulla e tij u shndërrua në simbol të bashkimit dhe vendosmërisë për liri – një vatër nga ku u ndez zjarri i qëndresës sonë. Së bashku me mijëra djem e vajza të UÇK-së, Ilaz Kodra qëndron në themelet e lirisë sonë dhe shtetit tonë të pavarur. Prekazi, familja Kodra, Kosova dhe gjithë shqiptarët do të jenë përherë krenarë për këtë bir të madh të kombit. Lavdi e përjetshme Komandant Ilaz Kodrës!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.