Krasniqi përkujton të rënët në masakrën e Poklekut dhe Çikatovës: Asnjëherë s’do t’i harrojë këto krime
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar të rënët në masakrën e Poklekut në Drenas, duke bërë homazhe me bashkëpunëtorë.
Ai ka thënë se “populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë këto krime – derisa ato të zbardhen dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar”.
“Masakra e Poklekut në Drenas, 24 vjet më parë, shpërfaq në formën më të rëndë terrorin që regjimi gjenocidal serb ka kryer mbi popullatën civile shqiptare. 53 shqiptarë, prej të cilëve 23 fëmijë, u vranë, masakruan dhe u dogjën. Sa më shumë shkojnë vitet, aq më shumë na shtohet dhembja e pikëllimi – kur dihet që asnjë nga kriminelët serbë, pjesëmarrës në këtë masakër, nuk kanë dalë para drejtësisë deri më sot. Populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë këto krime – derisa ato të zbardhen dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar. Lavdi të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Po ashtu, Krasniqi ka përkujtuar edhe të rënët në Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
“Më 17 prill të vitit 1999, ofensivën për spastrim etnik përmes vrasjeve brutale të civilëve të pafajshëm në Drenicë, forcat kriminale serbe e vazhduan edhe në Çikatovë të Vjetër të Drenasit. Pas llahtarisë së shkaktuar në Poklek, ata zunë dhe vranë 24 shqiptarë të paarmatosur – trupat e të cilëve tentuan pastaj t’i largojnë dhe t’i fshehin. Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk do të jenë asnjëherë të plota pa dalë para drejtësisë kriminelët serbë të cilët kryen këto masakra. Edhe sot, ndajmë dhembjen me familjet e martirëve, të cilat vazhdojnë të jetojnë me plagë të hapura. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar Krasniqi.