Krasniqi: Plani franko-gjerman nuk e ka as njohjen ‘de-facto’
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se propozimi i Bashkimi Evropian (BE) nuk ka as njohje “de-facto” të Kosovës nga Serbia.
Ai ka komentuar planin e BE-së më të cilin është pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq të hënë në Bruksel.
“Plani franko-gjerman (ose evropian-amerikan) është një marrëveshje e përkohshme dhe mbetet brenda qëndrimeve të tashme ekzistuese të palëve, mbi ‘çështjet e statusit’. Si i tillë, plani nuk e ka fare brenda çështjen e njohjes, as de facto. Pse? Në preambulë thuhet se palët mbeten në pozicionet e tyre të pandryshueshme: Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Plani franko gjerman nuk e ka as njohjen de facto
Plani franko-gjerman (ose evropian-amerikan) është një marrëveshje e përkohshme dhe mbetet brenda qëndrimeve të tashme ekzistuese të palëve, mbi “çështjet e statusit.” Si i tillë, plani nuk e ka fare brenda çështjen e njohjes, as de facto. Pse? Në preambulë thuhet se palët mbeten në pozicionet e tyre të pandryshueshme: “Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”.
Pra, nuk paragjykohet qëndrimi i Serbisë lidhur me statusin, ndërsa dihet se qëndrimi i Serbisë është që statusi i Kosovës është si pjesë përbërëse e Serbisë.
Nëse nuk paragjykohet qëndrimi i Serbisë ndaj statusit, nuk mund të bëhet fjalë për njohje de facto. Bile paragrafi pararendës që thotë se “paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen”, nëse nuk paragjykohet qëndrimi i Serbisë lidhur me statusin e Kosovës, më shumë duket si fusnotë e rezolutës 1244 të KS të OKB-së.
Minimumi, paragrafi vetëm sa e kamulfon statu-quon lidhur me statusin e Kosovës. Pra, në çështjen e statusit bëhet fjalë për statu-quo, ku Serbia e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.
Plani nuk e lëvizë këtë qëndrim serb për asnjë milimetër. Prandaj, nuk është aspak e vërtetë që ka njohje de facto të Kosovës nga Serbia me këtë plan.