Krasniqi pranon nga eurodeputeti austriak raportin e monitorimit të zgjedhjeve lokale nga BE-ja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur të enjten në takim, eurodeputetin austriak dhe udhëheqësin e misionit vëzhgues të zgjedhjeve lokale nga BE-ja, Lukas Mandl, i cili ia ka dorëzuar raportin për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.
Me këtë rast, Krasniqi, ka thënë se PDK-ja do të jetë nxitëse e reformave të nevojshme në legjislacionin për zgjedhjet në Kosovë.
“Kënaqësi ta pres në takim mikun e mirë të Kosovës dhe timin, eurodeputetin austriak, Lukas Mandl. Përtej kultivimit të raporteve Austri – Kosovë, për çka ai është angazhuar një kohë të gjatë, si udhëheqës i Misionit vëzhgues të zgjedhjeve lokale në Kosovë nga Bashkimi Evropian sot më ka dorëzuar raportin për monitorimin e zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë. Z. Mandl si kryevëzhgues, bashkë me ekipin tij, i falënderova për punën e jashtëzakonshme gjatë periudhës zgjedhore në vendin tonë. Më vjen mirë që Kosova vazhdon të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve në rajon dhe më gjerë. Gjatë këtij takimi, e sigurova z. Mandl se PDK, si lidere e opozitës do të japë kontributin e saj për të shtyrë përpara implementimin e rekomandimeve të dala nga raporti i monitorimit të zgjedhjeve nga misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian. PDK-ja do të jetë nxitëse e reformave të nevojshme në legjislacionin për zgjedhjet në Kosovë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.