
Krasniqi pret në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë: PDK-ja mbetet e përkushtuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav.
Krasniqi ka thënë se ata kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, me fokus të veçantë te procesi zgjedhor dhe rëndësia e përmbylljes së tij në përputhje me standardet më të larta demokratike.
Krasniqi është shprehur se këto zgjedhje përfaqësojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë e Kosovës dhe një dëshmi të qartë e pjekurisë politike të qytetarëve të Kosovës.
“Në PDK, ne respektojmë dhe njohim vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës. Urojmë që vendi të ketë sa më shpejt një qeveri të re funksionale, e cila do të adresojë sfidat dhe prioritetet shtetërore me përgjegjësi dhe dinjitet. PDK-ja mbetet e përkushtuar ndaj një të ardhmeje më të mirë për Kosovën, pavarësisht pozicionit të saj politik. Ne jemi të bindur se vetëm përmes bashkëpunimit dhe një qasjeje konstruktive, vendi ynë do të vijojë rrugën e konsolidimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.