Krasniqi: Protagonizmi i opozitës po e rrezikon formimin e tribunalit
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar opozitën për qasjen e tyre në seancën për tribunalin kundër gjenocidit serb.
Në fjalimin e tij, Krasniqi ka thënë se kjo çështje po rrezikohet seriozisht për shkak të protagonizimit
“Një çështje shumë të rëndësishme ne jemi duke e rrezikuar për shkak të tendencës për protagonizëm të kujtdo qoftë. Debati ka përfunduar dhe u dha një propozim që mori mbështetjen e shumicës së deputetëve që kaloi”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka komentuar edhe propozimin për rezolutë të LDK-së, për të cilën ka thënë se është e njëjtë me propozimin e PSD-së.
“Ne kemi një propozim të LDK-së, dhe për mendimin tim është e njëjtë me atë se çka e kaluam ne. Na e kaluam këtë, apo mos po doni që këtë Komision që e kaluam me ja dhënë këtë mandate. Harrojeni protagonizim e të merremi vesh për këtë temë sepse u bëmë horë para familjeve të pagjeturve”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë, më herët është miratuar edhe propozimi i PSD-së për formimin e Komisionit parlamentar për arritjen e konsensusit për tribunalin.