Krasniqi: Pushteti e do policinë vetëm për mburrje, refuzon që ta ndihmojë e ta forcojë!
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për bojkotimin e seancës së sotme nga deputetët e pozitës dhe mospjesamrrjen e kabinetit qeveritar, ku në rend ditë ishte rezoluta për përkrahjen e Policisë së Kosovës.
Krasniqi ka shkruar në “Facebook” se pushteti e do policinë vetëm për mburrje dhe refuzon që ta ndihmojë e ta forcojë.
“Sot, për herë të dytë brenda një jave, Lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi Rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila, me miratimin e saj, do të ndihmonte shpejtë dhe konkretisht Policinë e Kosovës. Është e mjerueshme dhe për keqardhje kjo qasje e pushtetit ndaj policëve tanë. Shpejt e harruan sakrificën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kolegëve të tij, të cilët, çdo ditë e vënë jetën e tyre në rrezik për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.
Por, sipas tij, PDK-ja nuk do të ndalet.
“Ne do të insistojmë, përmes të gjitha mënyrave dhe mekanizmave që këtë Rezolutë ta miratojmë. Shtesat për rrezikshmërinë, sigurimi shëndetësor dhe miratimi i Ligjit për pensionim të parakohshëm – janë më të paktat që meritojnë policët tanë”, ka thënë Krasniqi.