Krasniqi pyet përsëri Kurtin: A ofron propozimi evropian mundësinë e marrëveshjes finale?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka pyetur përsëri kryeministrin Albin Kurti se “a ofron propozimi evropian mundësinë e marrëveshjes finale me Serbinë”.
“Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale? A është ky vazhdim i dialogut apo pikënisje e re? A ka kornizë kohore ky dialog?”, ka pyetur Krasniqi, kryeministrin Kurti.
Krasniqi ka parashtruar edhe pyetje të tjera, që kryesisht lidheshin me propozimin evropian.
“Cili është teksti i fundit dhe përmbajtja zyrtare e këtij propozimi dhe a e parasheh njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve i njëjti? Si dhe, a parashihet vazhdimi i dialogut edhe pas marrëveshjes?”, ka pyetur Krasniqi.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka ndërtuar qasjen e saj strategjike përballë dialogut me Serbinë, mbi bazën e dy qëllimeve fillestare.
Qëllimi i parë, siç tha ai, është ndërprerja e praktikës së përfshirjes së çdo çështjeje potencialisht kontestuese ndërmjet palëve, në fushëveprimin e dialogut. Ndërsa qëllimi i dytë, sipas tij, është hapja e kapitullit të një procesi të bisedimeve për ndërtimin e raporteve të jashtme të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare si dy shtete të pavarura që e bazojnë marrëdhënien e tyre mbi premisën e njohjes së dyanshme të shtetësisë.
Kurti ka thënë se më 9 shtator ka marrë propozimin e njohur si franko-gjerman nga i dërguari i Francës, Emmanuel Bonne, dhe nga i dërguari i Gjermanisë, Jens Plotner, në praninë e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Ata prezantuan para meje një propozim për normalizimin e ndërmjetëm të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në parimin e njohjes de facto dhe mbështetjen e saj në parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimet e qarta të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se pavarësisht se i ishte kërkuar nga emisarët që konfidencialiteti i dokumentit të respektohet, ai i kishte ftuar kryetarët e tri partive opozitare, për t’i njoftuar ata me përmbajtjen e propozimit.
Më tutje, Kurti ka shpjeguar se mbi çfarë bazash ishte dokumenti i propozuar nga dy emisarët, gjerman dhe francez.
“Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të ngjashme të njohjeve de facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore, si për shembull: marrëveshja Japoni-Kore Jugore”, kanë thënë Kurti.
Ai ka theksuar se propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazimit në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i kartës së Kombeve të Bashkuara, për sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.