Krasniqi: Qëndrimi i LDK-së dhe Vetëvendosjes, i frikshëm
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se qëndrimi refuzues i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për tribunalin është qëndrim i frikshëm.
“Është vështirë me gjet fjalë që ta klasifikoj mentalitetin hezitues të ikjes së përgjegjësisë. Qëndrimi i tyre është më shumë i frikshëm se i turpshëm. Për mua është i frikshëm qëndrimi i LDK-së dhe Vetëvendosje, duke mos guxuar të marrin përgjegjësi si deputet për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb”, ka thënë Krasniqi.
Ai i ka akuzuar dy partitë opozitare, se të gjithë këtë po e bëjnë për ta rrëzuar pushtetin, ndërsa nuk i intereson për zbardhjen e krimeve serbe. “Verbërimi i këtyre njerëzve është nga etja për pushtet”, ka thënë Krasniqi.
Në këtë kontekst, Krasniqi ka akuzuar se opozita ia ka marrë anën atyre që tani e 20 vjet e kanë mohuar gjenocidin serb në Kosovë.