Krasniqi: Qeveria Kurti shkeli dinjitetin e veteranëve të UÇK-së, protesta e tyre është legjitime

15 qershor 2022 | 19:28

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka shkelur dinjitetin e veteranëve të UÇK-së dhe ka shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë dhe veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon.

“Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, tha Krasniqi nëpërmjet një deklaratë në faqen e tij në “Facebook”.

Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:

Albin Kurti dhe Qeveria e tij, vazhdimisht dhe publikisht kanë shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Por, me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre.

Prandaj, protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë. Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t’i përkrahë kërkesat e tyre të drejta.

Qeveria duhet ta kuptojë sa më parë që veteranët nuk janë barrë për këtë shoqëri, por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit.

Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s, ka thënë se pushtimi…