Krasniqi: Qeveria Kurti vazhdon të marrë vendime të pamatura
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Krasniqi ka bërë me dije se i ka thënë Szunyogut se qytetarët e Kosovës janë duke vuajtur pasojat e sanksioneve të BE-së.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se qeveria Kurti është duke vazhduar të marrë vendime të pamatura.
“Gjatë takimit që zhvillova sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Ambasadorit Szunyog, ia ritheksova se qytetarët e Kosovës po vuajnë pasojat e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian, për shkak të papërgjegjësisë dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti, e cila po vazhdon të marrë vendime të pamatura dhe po tenton të cenoj pavarësinë e institucioneve më të larta juridike dhe ekonomike në vend. PDK-ja si parti shtetformuese dhe shtetndërtuese, dhe si lidere e opozitës do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv në mirëmbajtjen dhe avancimin e raporteve të mira me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.