Krasniqi: Qeveria të kërkojë urgjent anulimin e raportit të Dick Martyt, është i rremë
Institucionet e Kosovës duhet që në mënyrë urgjente të kërkojnë që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës të anulojë raportin e Dick Martyt, thotë profesori Universitar, Milazim Krasniqi.
Krasniqi e konsideron raportin e Dick Martit të rremë, mbi të cilin u krijua Gjykata Speciale.
Krasniqi për Ekonomia Online tha se Qeveria në bashkëpunim me ShBA-në duhet ta kthejnë Gjykatën Speciale në Kosovë me mandatin që ka duke qenë brenda saj.
“Institucionet e Kosovës do të duhej në mënyrë urgjente që të fillonin një iniciativë diplomatike me kërkesë ndaj këshillit të Evropës që asambleja parlamentare ta anulojë raportin e Dick Martyt i cili ka qenë i rremë dhe më shumë produkt i bashkëpunimit të tij me shërbimin sekret dhe rus dhe nuk ka asgjë të vërtetë në të”.
“Në këtë aspekt besoj që ShBA-ja dhe BE e kanë momentin të marrin iniciativë ndaj kësaj çështje sepse Rusia ka qenë propozuesja zyrtare e asaj iniciative për raportin e Dick Martyt dhe fatkeqësia tjetër është që kjo është bartë edhe në institucione tjera me formimin e gjykatës specialë dhe e dyta institucionet tona do të duhej që ë bashkëpunim me ShBA të kërkonin kthimin e gjykatës speciale në Kosovë me mandatin që ajo e ka duke qenë brenda Kosovës sepse tashmë është e qartë se raporti i Martyt dhe formimi i gjykatës speciale ka ardhur nën presionin e shërbimeve sekrete ruse dhe do të duhej të denoncohet”, tha Krasniqi.
Sipas tij, kreu i Qeverisë Albin Kurti nuk duhet t’i shikojë si kundërshtar politik ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë.
Ai theksoi se përveç Kosovës edhe Shqipëria duhet të fokusohet në mbrojtjen e interesave të Kosovës.
“Qeveria ka një farë problemi psikologjik në raport me akterët kryesor që janë të kësaj gjykatë në pikëpamje politike. Nuk do të duhej në këtë rast të shikohej Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi si kundërshtar politik por do të duhej të shihej fati dhe historia e Kosovës sepse gjykata speciale është bërë për ta rishkruar historinë e Kosovës në pajtim me qëndrimet ruse dhe armiqve të Kosovës. Kjo çështje do të duhej aktualizohej por momenti është i papërshtatshëm nga gjithë ajo që po ndodh në Ukrainë një gjenocid i përmasa monstruoze. Unë po shpresoj që edhe vetë Kosova do të marr iniciativa por edhe Shqipëria të fokusohej në mbrojtjen e interesave të Kosovës”, u shpreh Krasniqi.
“Po ashtu jam i bindur që është momenti që ShBA dhe BE të marrin aksione në këtë drejtim sepse kjo tregon që jo vetëm që ka kryer Serbia spastrim etnik dhe gjenocid por ka vazhduar me terrorizëm politik dhe me krime politike gjë që e ka konfirmuar edhe Dick Marty”, tha tutje Krasniqi.
Teksa ka folur për propagandën e shtetit serb, profesori Krasniqi thotë se Serbia është e specializuar për luftë propagandiste dhe krim politik.
“Serbia e ka një zakon të vjetër që të vret natën e të qan ditën. Serbia ka histori të çuditshme të krimeve që ka bërë shumë herë tinëz e haptas. Krejt shteti serb bazohet në krime që nga koha e Car Dushanit. Në vitin 1998 në sulmin ndaj familjes Jashari komunikata ka qenë që shqiptarët janë vrarë mes vete për qërim hesapesh. Serbia është e specializuar për luftë propagandiste dhe krim politik”, tha ai.