Krasniqi: Raporti i DASH-it shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën shpërfaq dështimin e Qeverisë Kurti për të ndërtuar institucione kredibile, të përgjegjshme dhe të pakorruptuara, në njërën anë dhe, në anën tjetër, dështimin për krijuar një ambient ku vajzat dhe gratë janë të sigurta.
“Raporti fakton korrupsionin serioz qeveritar dhe mosndëshkimin e rasteve të tilla, mungesën e hetimit dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore, përfshirë dhunën në familje apo dhunën seksuale, dhe ngre shqetësimin se si zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozicione të larta në sektorin publik”.
“Kjo është historia e vërtetë e kësaj Qeverie, e cila, në dy vitet e fundit ka prodhuar vetëm skandale që kanë prekur të gjithë sektorët: qeverisjen, ekonominë, shëndetësinë, arsimin, diplomacinë e sigurinë. Padyshim, si emërues i përbashkët i cili vulosë të gjitha këto gjetje që karakterizojnë Qeverinë Kurti, mbetet ambasadori Martin Berishaj, i cili, përkundër raportimeve, fakteve dhe akuzave, vazhdon të mbetet në detyrë pa dhënë asnjëherë llogari për miliona euro të shpërdoruara e të dyshimta”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka thënë se me Kurtin në qeverisje dhe Martinin si simbol të saj – raportet për Kosovën do të vazhdojnë të përkeqësohen vazhdimisht.