Krasniqi: Rexhep Boja afirmoi shtetin tonë në botën arabe
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka ngushëlluar familjen e ish-ambasadorit të Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, i cili ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.
Krasniqi ka thënë se Boja në cilësinë e ambasadorit ka afirmuar Kosovën në botën arabe.
“Kosova sot humbi një intelektual e patriot, ish-myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Rexhep Bojën, i cili për shumë vjet punoi për lirinë e vendit, promovoi dijen, mirësinë e besimin për popullin tonë. Rexhep Bojën do ta kujtojmë përherë edhe për kontributin e pakursyer në shtetndërtim duke qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, nga ku afirmoi shtetin tonë në botën arabe, ku krijoi ura të reja komunikimi e mundësi bashkëpunimi. Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Rexhep Bojës, si dhe për Bashkësinë Islame të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.