Krasniqi: Rrena e Kurtit për ‘marrëveshje të fshehtë’ u demantua brenda 24 orëve nga Shtëpia e Bardhë
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se gënjeshtra që dje kryeministri në largim Albin Kurti e tha në Kuvend se po rrëzohet shkaku i “një marrëveshje të fshehtë” nuk zgjati as 24 orë dhe u demantua pikërisht nga Shtëpia e Barshë.
Përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, zyrtari i lartë i PDK ka theksuar se mes gënjeshtrës së Albin Kurtit dhe qëndrimit zyrtar amerikan, shqiptarët më shumë i besojnë Amerikës.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Dje, në seancën e shkarkimit të tij, Albin Kurti disa herë gënjeu se po hiqej nga pozita e Kryeministrit sepse po e parandalonte një “marrëveshje të fshehtë mes Kosovës e Serbisë” dhe për këtë i akuzoi thuaja direkt SHBA-të dhe të dërguarin special të Presidentit Donald Trump, z. Richard Grenell. Kështu, në njërën anë i hidhte benzinë zjarrit anti-amerikan që e ka ndezur tash e sa vite në opinion tonë publik dhe në anën tjetër tentonte të shtirej sikur një “shpëtimtar” i Kosovës nga konspiracioni amerikan, i imagjinuar prej tij, kundër shtetit tonë. Po të mos ishte shumë i rrezikshëm ky narracion, për shkak të njerëzve të shumtë që ende i besojnë, do të ishte vetëm qesharak dhe do të merionte tallje e asgjë më shumë.
Por, ja që rrena e të shkarkuarit të djeshëm nuk zgjati as 24 orë të plota. Sot, në një Deklaratë të përbashkët të përfaqësuesëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, konkretisht z. Richard Grenell, z. Matthew Palmer dhe Ambasadorit Philip Kosnett, thuhet “Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka marrëveshje të fshehtë për shkëmbime të tokave ndërmjet Kosovës dhe Sebisë, siç kanë spekuluar disa”.
Tani, më thuani, a po rren Albini, a po rren Amerika? Nëse duhet zgjedhur mes këtyre, secili shqiptar do të duhej t’i besonte Amerikës para cilitdo politikan, e le më Albinit.
Pra, edhe këtu doli i zhveshur Kryeministri i shkarkuar. Si spekulant dhe si mashtrues, që nuk i kursen as miqtë e partnerët më të rëndësishëm të popullit tonë, kur është në pyetje interesi i tij personal dhe etja e tij e pashuar për pushtet. Ashtu siç gënjeu dje për këtë “marrëveshje” imagjinare, ashtu ka gënjyer e do të gënjejë, për aq kohë sa ka njerëz që do të bien pre e mashtrimeve dhe manipulimeve të tij.
Askush më mirë se Albini nuk do të duhej ta kuptonte thënien e urtë popullore: “Rrena i ka kambët e shkurta”. Por, ai aq shumë ka gënjyer e ka mashtruar prej që është në jetën publike dhe ende ka të tillë që vazhdojnë t’i besojnë. Sidoqoftë, me kohë ai do mbetet i vetëm, me një rreth të vogël besimtarësh dhe në botën e tij imagjinare të konspiracioneve, ku edhe mund t’ia jap vetes ndonjë rol të rëndësishëm, që në jetën reale nuk e ka.