Krasniqi: Së shpejti votohet në Kuvend iniciativa e Veselit për tribunalin
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se Komisioni ad-hoc për harmonizimin e qëndrimeve në lidhje me formimin e Komisionit Shtetëror për krijimin e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë, për Muzeun e Gjenocidit, Memorialin e Dëbimit dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit, pas disa mbledhjesh, sot ka përmbyllur punën e vetë.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky komision, që u formua pas iniciativës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, bëri hapin e parë për të vendosur drejtësi ndërkombëtare për viktimat e gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
“Si kryesues i këtij Komisioni, dëshiroj të falënderoj të gjithë anëtarët, nga të gjitha partitë politike, për punën e palodhshme dhe kontributin konstruktiv në finalizimin e Propozim – Vendimit, të cilin do ta procedojmë për votim në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se dokumenti i harmonizuar është një bazë e mirë që Komisioni Shtetëror për krijimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin dhe krimet e tjera të kryera nga Serbia në Kosovë të formohet shpejt dhe të bëjë një punë efikase në arritjen e qëllimit tonë për të sjellë drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe krimeve të tjera të kryera nga Serbia në Kosovë.