Krasniqi: Shfuqizimi i Speciales me pasoja të rënda për Kosovën
Albert Krasniqi, nga KDI ka thënë se marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, i ka mbetur kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Duhet që Kryesia e Kuvendit të Kosovës, të merr ndonjë vendim. Pra është dashur që kryesia të merr ndonjë vendim”, theksoi ai.
Krasniqi ka folur edhe për dërgimin e Iniciativës për Specialen në Qeveri.
“Është procedurë standarde që të kërkohet mendimi i qeverisë. Qeveria ka kohë 30 ditë dhe mundet fare mos të jap opinion. Pastaj Kuvendi e ka të drejtën të procedojë më tutje, nëpër komisione. Ku më pastaj mund votohet me 61 vota të shfuqizohet Ligji për Specialen”, tha Krasniqi në “RTK”.
Sipas tij qeveria sot mund të jep mendim për këtë çështje. “Brenda muajit mund të ketë epilog për këtë”, theksoi Krasniqi.
Sipas tij në Kuvendin e Kosovës janë dy iniciativa, një e OVL-UÇK-së dhe një e deputetëve.
“Kjo iniciativë mund të ndërprehet vetëm me tërheqjen e nënshkrimeve. Shfuqizimi i Speciales bëhet më shumicën e thjeshtë, nëse janë 61 deputetë. Këtu mund të jetë faktor VV-ja”, tha Krasniqi.
Sipas tij 10 nëse shfuqizohet Specialja mund të dërgohet në Kushtetuese.
“10 deputetë mund të dërgojnë në Kushtetuese, por ideja është se kush duhet të jenë ata deputetë për shkak të krijimit të opinionit për këtë gjykatë, se kush janë kundër shfuqizimin janë kundër luftës së UÇK-së”, theksoi ai.
Krasniqi vlerësoi se nuk mbahet mend që të ketë pasur aq reagim të fort nga ambasadat e huaja për këtë.
“Ne mund të përballemi me pasoja të rënda, si embargo ekonomike, nuk mund të furnizohemi aq me bukë, naftë etj. Pra me produkte esenciale. Pra mund të ketë ndalje të ndihmave, të SHBA-së, ngrirje të marrëdhënieve ekonomike”, pohoi Krasniqi.