Memli Krasniqi: Kurti duhet ta di se Kosova nuk mund të trajtohet si video-lojë

20 janar 2020 | 12:41

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar se kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti duhet ta di si mandatar se jeta institucionale nuk është video-lojë dhe lojërat me video nuk i kryejnë punët të cilat i presin qytetarët e Kosovës.

“Kërkesa jonë prej 6 tetorit në mbrëmje ka qenë që ata që kanë kërkuar dhe kanë marrë mandat, sa më herët dhe sa më shpejt t’i kryejnë obligimet e tyre por kjo nuk ka ndodhur. Albin Kurti si mandatar duhet ta di se jeta institucionale nuk është video-lojë dhe lojërat me video nuk i kryejnë punët të cilat i presin qytetarët e Kosovës. Nga sot kur do ta marrë mandatin zyrtarisht, ne ia kujtojmë se ajo nuk është përgjegjësi vetëm sa për të marrë një letër por është përgjegjësi për t’i formuar institucionet. Barra e përgjegjësisë për këtë bllokadë i bie atij si mandatar”, ka thënë Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ai ka thënë se ky subjekt politik në asnjë variant nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

“Pozicioni i PDK-së është i qartë, ne do të qëndrojmë në opozitë dhe kjo nuk ndryshon. Deri në zgjedhjet e ardhshme do të qëndrojmë, nuk kemi marr ftesa por nuk do t’iu përgjigjemi atyre ftesave. Edhe 15 ditë mund të kalojnë më shpejt se sa na duken”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka bërë thirrje që sa më shpejtë të formohet qeveria pasi që shteti rrezikon të bllokohet.

“Kanë kaluar 106 ditë që nga zgjedhjet. Ata kanë deklaruar se do ta formojnë qeverinë, së shpejti vjen muaji shkurt dhe kur të jemi në mars do të jemi të bllokuar”, ka deklaruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht zërave që qarkullojnë kohët e fundit në lidhje me…