
Krasniqi: Skandali i vërtetë është niveli i diskutimit që Kryeministri zhvillon me përfaqësues të vendeve të tjera
Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, skandalin e vërtetë te mashtrimi që iu bë kryeministrit Albin Kurti nga dy rusë e sheh te “niveli i diskutimit që Kryeministri ynë zhvillon me përfaqësues të vendeve të tjera.”
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Krasniqi tha se kjo ua rrezon pretendimet qeverisë aktuale për “perfaqësim me dinjitet” duke pasqyruar të kundërtën – “degradimin e përfaqësimit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.”
Postimi i plotë:
Tashmë në plan të dytë mbetet dështimi i Zyrës së Kryeministrit për të identifikuar një gjë kaq të thjeshtë – personin me të cilin po bashkëbisedon.
Skandali i vërtetë është niveli i diskutimit që Kryeministri ynë zhvillon me përfaqësues të vendeve të tjera. Përfaqësimi me “dinjitet”, që aq shumë na është trumbetuar, nuk është asgjë më shumë sesa niveli i bisedave që mund të zhvillohen në çajtoret e lagjeve mes fqinjëve.
Kjo jo vetëm që na tregon pse ka shpërfillj ndaj nesh, por edhe na pasqyron degradimin e përfaqësimit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
Fati që në këtë takim nuk kanë kërkuar të jetë edhe Donika Gërvalla!