Krasniqi: S’mund të them kur mund të hapet ura në Mitrovicë

14 gusht 2024 | 12:59

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë të mërkurën se nuk mund të thotë se kur mund të hapet ura mbi lumin Ibër në veri, duke shtuar se “ne jemi shumë të interesuar të koordinohemi në këtë proces”.

“Jemi duke i kryer të gjitha punët dhe kjo sigurisht është një çështje të cilët nuk mund ta them këtu; një datë se kur mund, apo do të hapet ura, për shkak se është absurde”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për medie.

Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka ngulur këmbë në hapjen e urës për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan Mitrovicën në jug me shumicë shqiptare dhe në veri me shumicë serbe, me gjithë kundërshtimin e vazhdueshëm nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e Quint-it, ShBA-ja, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e qeverisë së Kurtit për hapjen e urës në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diferenca në rezultate e shprehur nga Max Verstappen dhe Sergio…