Krasniqi: Sot, ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me rastin dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Ai ka thënë se sot, fjalët kanë humbur fuqinë për të dënuar mjaftueshëm rastin e dhunimit të një vajze 11-vjeçare në Prishtinë.
“Sot, ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar. Sot, shoqëria jonë, fatkeqësisht, jo për të parën herë viteve të fundit, ka shpërfaqur vrazhdësinë e saj me dhunën dhe krimin ndaj vajzave dhe grave”, ka reaguar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se shteti me të gjitha kapacitetet e veta, urgjentisht duhet të gjejë të gjithë të përfshirët në këtë krim dhe ndaj tyre, pa hezitim, të shqiptoj asgjë më pak se dënime maksimale.
“Këtë ia kemi borxh vajzës së dhunuar, familjes së saj dhe të gjitha vajzave të reja të cilat sot ndihen të pasigurta në shtetin e tyre!”, ka reaguar Krasniqi.