Krasniqi: Sulmi ndaj Policisë së Kosovës, akt kriminal dhe i patolerueshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar për sulmet që janë bërë ndaj Policisë së Kosovës gjatë tri ditëve të fundit në pikat kufitare me Serbinë.
Ai ka thënë se, këto sulme janë të pa tolerueshme dhe të akteve kriminale që kanë për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit, duke shtuar se kjo iu konvenon atyre që e mohojnë sovranitetin e Kosovës.
“Sulmi ndaj Policisë së Kosovës afër pikave kufitare me Serbinë, është akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit të ligjit për dobi të kriminelëve, në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria, ndërsa mohuesve të sovranitetit tonë iu konvenon trazira dhe provokimi i paqes. Që të dy këto qëllime, janë e do mbesin të paarritshme kundër shoqërisë tonë multietnike e shtetit tonë sovran dhe të pavarur”.
“I ftojmë organet e rendit dhe ligjit që sa më parë të hetojnë dhe ndriçojnë rrethanat e këtij akti kriminal, si dhe t’i japin përgjigje meritore çdo përpjekjeje që cenon Kosovën dhe sovranitetin e shtetit tone”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.