Krasniqi takohet me ambasadorin francez, diskutojnë për veriun dhe dialogun
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vendin tonë.
Krasniqi ka bërë me dije se ia ka prezantuar ambasadorit francez pesë pikat e PDK-së për marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Në takimin e zhvilluar sot me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, diskutuam për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë procesin zgjedhor të caktuar për fundin e këtij muaji. Ambasadorit Guerot i shpreha mirënjohjen time për Francën për mbështetjen e ofruar në procedurën lidhur me vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në këtë takim, ripërsërita pesë pikat e propozuara nga unë dhe Partia Demokratike e Kosovës për marrëveshjen finale në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës sipas rregullimit aktual kushtetues, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së, nisja e procesit të anëtarësimit në NATO përmes pjesëmarrjes në ‘Partneritet për Paqe’ si hap i parë, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë – duhet të jenë shtyllat bazë të kësaj marrëveshjeje”.
“Po ashtu, gjatë këtij takimi pranova urimet e ambasadorit francez për anëtarësimin e PDK-së në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), i cili e konsideron këtë si një hap të rëndësishëm në procesin reformues të nisur nga partia jonë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.