Krasniqi takohet me diplomatët evropianë, u kërkon heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës
I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar shefin zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, ambasadorin e Francës, Oliver Guerot, zëvendësambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conard si dhe zëvendësambasadorin e Italisë, Ugo Ferrero.
“Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës prita shefin e zyrës së BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, Ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, Zëvendës-Ambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad dhe Zëvendës-Ambasadorin e Italisë, Ugo Ferrero me të cilët diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend”, ka shkruar Krasniqi
Nga zyra e PDK-së, Krasniqi, diplomatëve evropianë ua ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me situatën politike dhe ekonomike të vendit.
Krasniqi gjithashtu është shprehur se u ka kërkuar heqjen masave sanksionuese të BE-së.
“Diplomatëve evropianë u shpreha shqetësimin tim në lidhje me situatën e vështirë politike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi. Nga ta, para se gjithash, kërkova që të ndihmojnë në heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Republikës së Kosovës. Qytetarët tanë nuk duhet të vuajnë pasojat e një Qeverie të papërgjegjshme dhe jobashkëpunuese”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
“Ambasadorët i sigurova se PDK do të vazhdojë të angazhohet seriozisht dhe të luaj rol konstruktiv në procesin e Integrimit euro-atlantik të vendit, si vizion i kahmotshëm i yni dhe rrugë e vetme drejt zhvillimit dhe përparimit”, ka thënë tutje Krasniqi.