Krasniqi takohet me myftiun Tërnava, vlerëson kontributin e BIK-ut në promovimin e harmonisë fetare
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë me dije se ka vizituar myftiun Naim Tërnava për t’ia uruar muajin e shenjtë të Ramazanit.
Duke dhënë detaje nga vizita e tij, Krasniqi ka ftuar të gjithë për më shumë dashuri, paqe e solidaritet, ndërsa ka treguar se me myftiun Tërnava kanë diskutuar edhe shumë çështje të rëndësishme për shoqërinë dhe e ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) për promovimin e harmonisë fetare.
“Duke uruar agjërim të lehtë e të pranuar, u pajtuam se është tejet e rëndësishme që, veçanërisht gjatë këtij muaji, të gjithë të ftojmë për më shumë dashuri, paqe, solidaritet e vepra të mira. Me myftiun Tërnava diskutuam edhe për shumë çështje të tjera me rëndësi për shoqërinë tonë. Myftiun e falënderova për kontributin e vazhdueshëm të BIK-ut në promovimin e harmonisë fetare dhe për shembullin e humanizmit dhe ndihmës konstante për nevojtarët. Agjërim të lehtë të gjithë agjëruesve!”- ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.