Krasniqi takohet me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ja për çfarë biseduan
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë me dije se është takuar të hënën me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike që ndërlidhin Kosovën, rajonin dhe BE-në.
“Gjatë këtij takimi diskutuam edhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë, ndërsa u vlerësua qëndrimi i Kosovës e cila nëpërmjet Rezolutës së Kuvendit ishte në linjë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ambasadorit Szunyog ia ritheksova se Kosova do të jetë gjithmonë e rreshtuar përkrah vlerave evropiane, si një synim i palëkundur për integrim e zhvillim, dhe Partia Demokratike e Kosovës si lidere e opozitës do të vazhdojë të jap kontributin e saj në këtë mision”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.