Krasniqi takon Escobarin në ShBA: Rreshtimi me Amerikën, i pa alternativë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në ShBA është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, njëherësh i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Krasniqi e e ka falënderuar Escobarin për të gjitha etapat e mbështetjes së palëkundur amerikane për Kosovën.
Në këtë takim, Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi i Kosovës me ShBA-në është pa alternativë.
Ai ka thënë se ShBA i ka dhënë dhe i jep Kosovës mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare, përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB.
“Z. Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm. Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me ShBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Krasniqi e ka siguruar Escobarin se PDK-ja do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës.
“Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse – me njohjen reciproke në qendër”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se tregimi i suksesit të Kosovës që nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi është bërë falë koordinimit të ngushtë me ShBA-në.