Krasniqi takon Këshillin Politik të PDK-së, temë diskutimi zhvillimet e fundit në vend
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka takuar Këshillin Politik të PDK-së, me të cilin ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë.
“Bashkë me Koordinatorin, Akademik Arsim Bajrami, kemi shprehur shqetësimin e madh me realitetin e ri i cili po tentohet të krijohet në pjesën veriore të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Ai ka theksuar se injorimi që Qeveria ia ka bërë kësaj situate vetëm sa e ka vështirësuar konsolidimin e sovranitetit të plotë në atë pjesë të Kosovës dhe po rrezikon një valë të re të largimit të shqiptarëve.
“Edhe një herë, i bëjmë thirrje Qeverisë që mos të dorëzohet para barrikadave të grupeve kriminale të kontrolluara nga Serbia. Zbatimi i ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk kërkon kompromis, por lidership shtetëror”.
“Me Këshillin Politik kemi diskutuar edhe për pranimin me të drejta të plota në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE). Pranimi në ALDE vjen si konfirmim i përbrendësimit të vlerave evropiane dhe njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka treguar se në një takim të ndarë ka takuar edhe kryetarët e degëve të PDK-së, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet politike, projektet komunale dhe, me theks të veçantë, diskriminimin që Qeveria po u bën komunave që udhëhiqen nga PDK.
“Me kryetarët e Dldegëve folëm edhe për ecurinë e zgjedhjeve në Rininë Demokratike të Kosovës, të cilat, këtë herë, do të shënojnë një sukses të jashtëzakonshëm për demokracinë dhe fuqizimin e partisë”, ka theksuar Krasniqi.