Krasniqi takon Kilajn: Malisheva meriton një qeverisje që çliron mundësitë e bllokuara
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Malishevës, ku është takuar me kandidatin për kryetar të kësaj partie, Isni Kilaj, i cili në raundin e dytë është në garë me kandidatin e Nismës Socialdemokrate.
Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se është shumë i lumtur që Partia Demokratike e Kosovës dhe qytetarët e Malishevës janë rilidhur fuqishëm për të qëndruar së bashku, që së bashkërisht ta përmbyllin balotazhin me fitore.
Siç ka thënë Krasniqi “për ta nisur qeverisjen e përgjegjshme e zhvillimore, të cilën Isni Kilaj do t’ua ofrojë me pasion e përkushtim”.
“Jashtëzakonisht falënderues ndaj të gjithë qytetarëve të Malishevës që e kanë vlerësuar programin tonë për zhvillim dhe potencialin që z. Kilaj do ta vë në shërbim të tyre, për të ardhmen prosperuese të kësaj komune. Malisheva meriton një qeverisje që çliron mundësitë e bllokuara në të gjitha drejtimet. Një qeverisje që ia ndryshon pamjen qytetit e që ua plotëson nevojat të gjitha vendbanimeve. Që siguron perspektivë për të rinjtë e të rejat e Malishevës, të cilët kanë aspiratë për të jetuar e për t’u zhvilluar në qytetin e tyre. Isni Kilaj i kupton këto nevoja dhe ka zgjidhje për to. Prandaj, atij i duhet mbështetja e të gjithëve, sepse ai do të qeverisë për të gjithë e në dobi të të gjithëve, pa dallim”, ka shkruar Krasniqi.