Krasniqi takon kryeministrin maqedonas, bisedojnë për perspektivën integruese të rajonit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka takuar kryeministrin e këtij vendi Dimitar Kovaçevski, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike, në rajon dhe Evropë.
Krasniqi ka falënderuar Kovaçevskin për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit, Krasniqi ka ritheksuar se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën.
“Me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”, është shprehur Krasniqi.
Kovaçevski e ka njoftuar Krasniqin edhe për hapat që ka marrë Maqedonia e Veriut për të përballuar krizën globale ekonomike, e cila sipas liderit të PDK-së, në Kosovë po manifestohet me inflacion rekord, rritje të çmimit të energjisë dhe përkeqësim të jetës së qytetarëve tanë.
“Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, ka deklaruar Krasniqi.