
Krasniqi takon përfaqësuesit e instituteve kryesore evropiane, diskuton për të ardhmen e Kosovës në raport me BE
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka takuar përfaqësuesit e instituteve kryesore evropiane me të cilët ka diskutuar të ardhmen e Kosovës në raport me BE-në dhe stabilitetin rajonal.
“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e katër organizatave dhe instituteve kryesore evropiane: Carnegie Europe, Notre Europe – Instituti Jacques Delors, Instituti Gjerman për Punë të Jashtme (DGAP) dhe Instituti Clingendael”, ka njoftuar PDK-ja.
Krasniqi ka njoftuar se takimi është fokusuar “në sfidat dhe perspektivat e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe në zhvillimet në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara”.
“Gjatë diskutimit, kryetari Krasniqi theksoi rëndësinë e një qasjeje proaktive të Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe përforcimin e partneritetit me BE-në dhe aleatët ndërkombëtarë. Ai shprehu bindjen se stabiliteti politik dhe një qeverisje e qëndrueshme janë kyçe për të avancuar proceset integruese dhe për të forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përfaqësuesit e instituteve pjesëmarrëse ndanë pikëpamjet e tyre mbi mënyrat se si Kosova mund të përfitojë nga dinamika e re në BE dhe ShBA, duke theksuar rëndësinë e reformave të qëndrueshme dhe të një dialogu të fuqizuar ndërkombëtar. Vizita e këtyre instituteve është pjesë e një studimi më të gjerë, i cili do të rezultojë me një publikim analitik mbi rrugën e Kosovës drejt stabilitetit dhe integrimit evropian”, ka njoftuar PDK-ja.