Krasniqi: Taksa 100 për qind duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se taksa 100 për qind duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit.
Ai përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kushdo nga shqiptarët, kudo që jetojnë a gjallërojnë ata, nëse nuk e dinë pse ka ardhur deri të taksa e 100 për qind, ai apo ata nuk e dinë as kah kanë ardhur e as në ç’drejtim duhet shkuar.
“Kushdo që kërkon heqjen e taksës sot, duhet ta dinë se kërkesa duhet t’i drejtohet Beogradit zyrtar, që ai të distancohet qartazi nga politikat e gjenocidit e të agresioneve diplomatike të Beogradit ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i tij:
Mbrojtja edhe me Taksën 100% – ishte domosdoshmëri!
Shkurt, kushdo nga shqiptarët, kudo që jetojnë a gjallërojnë ata, nëse nuk e dinë pse ka ardhur deri të taksa e 100%, ai apo ata nuk e dinë as kah kanë ardhur e as në ç’drejtim duhet shkuar! Ata duhet ta dinë se, as rruga e luftës që zgjodhëm dje e as taksa e re që u vendos para një viti, nuk ishin zgjedhje të dëshirueshme, ishin çështje të domosdoshme që na i pat imponuar SERBIA E POLITIKËS SË GJENOCIDIT.
Kushdo që kërkon heqjen e taksës sot, duhet ta dinë se kërkesa duhet t’i drejtohet Beogradit zyrtar, që ai të distancohet qartazi nga politikat e gjenocidit e të agresioneve diplomatike të Beogradit ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj.
Shkurt faji i politikës shqiptare nuk është vendosja e taksës, por vonesa e politikës sonë lakmiqare për grabitje e jo për ndërtim të shtetit të se drejtës.
Taksa duhet të hiqet vetëm pasi të ndërpritet çdo agresivitet i Beogradit.