
Krasniqi: Të shpallesh tri herë kampione evropiane nuk është e lehtë
Distria Krasniqi të mërkurën e ka fituar titullin e kampiones së Evropës për herë të tretë në karrierën e saj. Medalistja e dyfishtë olimpike, fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi.
Në finalen plot emocione, Krasniqi mundi italianen Odette Giuffrida, kategoria – 52 kg. “Po ndihem shumë e lumtur, ka qenë shumë e vështirë për ta marrë këtë medalje sepse është më lehtë të merret për herë të parë se sa të përsëritet një rezultat. Është hera e tretë që po bëhem kampione evropiane, jam shumë e lumtur dhe është shumë medalje e veçantë për mua pasi që është kampionati i parë evropian pas Lojërave Olimpike dhe kjo shihet se jam ende e motivuar për të vazhduar me të njëjtin ritëm siç kam qenë para Lojërave Olimpike”, ka thënë Krasniqi.
“Ishte e vështirë shumë, sidomos me xhudistët që jam ndeshur sot prej luftës së parë deri në finale me italianen kështu që ka qenë një ditë shumë e vështirë, shumë e lodhshme por gjithçka ka shkuar mirë dhe e kam pasur një performancë shumë të mirë dhe të gjitha ato përgatitje janë shpërblyer”, ka shtuar Krasniqi, e cila qysh kani ka filluar përgatitjet për Kampionatin Botëror të xhudos i cili mbahet pas dy muajsh në Budapest dhe synimi është që edhe aty të rrëmbejë medalje.