Krasniqi, teakwandisiti që po arrin sukses të mëdha në Zvicër
Teakwandisiti nga Rahoveci, Bashkim Krasniqi, është duke kaluar një karrierë tejet të suksesshme në këtë sport në shtetin e Zvicrës. Krasniqi në një intervistë për “KosovaPress” ka shpalosur edhe sukseset që i ka arritur që nga viti 1995, kur edhe ka filluar të merret me sportin e teakwandos.
Përveç sukseseve në rrafshin ndërkombëtar, ai ka rezultuar i suksesshëm edhe në rrafshin kombëtar, ku në vitin 2009 është shpallur kampion në Kosovë dhe Shqipëri. “Kam filluar të merrem me teakwando në vitin 1995. Jam kampion kombëtar dhe mbarëkombëtar që nga viti 1997. Kam marrë pjesë në disa gara kombëtare dhe mbarëkombëtare. Në Zvicër kam qenë edhe kundërshtari më i mirë në të gjitha kategoritë dhe në 2009-n kam qenë në Kosovë. Jam shpallur kampion ndërkombëtar dhe prej vitit 2010 kam filluar bashkëpunimin me Federatën e Teakwandos së Kosovës. Zakonisht vijmë me shkollën time, të cilën e kam hapur që nga viti 2011, të marrim pjesë në Kampionatin e Kosovës për Teakwando dhe kemi mjaft sukses”, ka thënë Krasniqi.
Përpos sukseseve personale, Krasniqi ka hapur edhe një shkollë të Teakwandos, ku me punën, përkushtimin dhe angazhimin e tij, nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur suksese të njëpasnjëshme, duke marrë kështu dy medalje botërore dhe gjashtë medalje evropiane. “I kemi 50 nxënëse, 15 garues që marrin pjesë në kampionatin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kemi gjashtë tituj evropianë dhe dy botërorë. Kemi marrë pjesë në disa shtete deri në Afrikë e Izrael, domethënë edhe në Evropë në shumë shtete… I kemi 50 % afërsisht shqiptarë, 50 % zviceranë dhe të tjerë… Më shumë i kemi shqiptarë. Jemi krejt shqiptarë të Kosovës, shqiptarë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë. Jemi bashkë”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka dhënë një mesazh për të gjithë rininë e qytetit edhe nga vjen vetë, Rahoveci, të cilën e ka këshilluar që sa më shumë të merret me sport. “Rinia e Rahovecit duhet të merret sa më shumë me sport, pavarësisht se në Komunën e Rahovecit nuk ka shkolla të Teakwandos në Komunën e Rahovecit, por ka shumë sporte të tjera dhe kemi shumë fat që kemi një kryetar që na mbështet si sportistë dhe na shton kulturën e rinisë”, ka përfunduar Krasniqi.