
Krasniqi: Thaçi dhe Veseli sot nuk janë këtu, por ata janë historia e lavdishme e Kosovës
Sot janë bërë një vit nga arrestimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Gjykata Speciale.
Me këtë rast, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ata sot nuk janë në Kosovë, por do të jenë përgjithmonë historia e lavdishme e këtij vendi.
Krasniqi ka vlerësuar se Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin
“Sot nuk janë këtu, por sot dhe përgjithmonë do të jenë historia e lavdishme e këtij vendi. Sepse, kurrë dhe nga askush nuk mund të ndryshohet historia jonë dhe as të tjetërsohet e vërteta e luftës sonë çlirimtare – e drejtë dhe e pastër qelibar. Kosova është pafundësisht krenare me djemtë e saj patriotë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, e me shokët e tyre çlirimtarë, që bashkë me gjithë popullin, ndërruan epoka dhe shkruan rrëfimin e jashtëzakonshëm e madhështor të mosnënshtrimit, të lirisë dhe të pavarësisë. E do ta shkruajnë edhe fitoren e kësaj beteje të fundit, për t’u kthyer në shtëpi si heronj. #LiriaKaEmër #UÇK”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.