Krasniqi: Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi e bashkëluftëtarët e tyre do të rikthehen fitimtarë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nga “Marshi për Drejtësi” ka përshëndetur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre.
Krasniqi nga Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, në një fjalim para mijërave qytetarëve, tha se sot “Marshojmë për Drejtësi” për t’u solidarizuar me çlirimtarët tanë, duke besuar fuqishëm se ata do të rikthehen fitimtarë.
“Marshojmë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre që sot janë larg nesh, duke e zhvilluar betejën e fundit, për dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë për liri. Dhe duke besuar fuqishëm në drejtësi, nuk kemi dyshim se do të rikthehen si fitimtarë, ashtu siç erdhën dikur, si çlirimtarë, sepse janë heronj të gjallë”.
“Lufta e popullit tonë për çlirim nuk ishte thjeshtë një ballafaqim ushtrish, por një luftë ndërmjet lirisë dhe tiranisë, ndërmjet drejtësisë dhe të padrejtës, ndërmjet shpresës dhe dëshpërimit. Dhe ne ishim të rreshtuar në anën e lirisë, drejtësisë dhe shpresës. Prandaj, po! Ne kërkojmë drejtësi, sepse për krimet e panumërta ndaj qytetarëve tanë, mijëra kriminelë serbë nuk kanë dalë kurrë para drejtësisë. Por, mbi të gjitha, kërkojmë drejtësi, sepse drejtësia është virtyti që e vulosë të vërtetën dhe historinë e popullit tonë, të cilat askush, kurrë dhe me asgjë, nuk do të mund t’i ndryshojë e t’i shtrembërojë”, u shpreh ai.
Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët ta ruajnë frymën e unitetit, për ta ripërtrirë përkushtimin për Kosovën, të cilën çlirimtarët e kanë ëndërruar.